Ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Francë ka marrë përmasa edhe më të dhimbshme, teksa motra e Andon Janaqit, i cili vrau bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës, ka bërë një apel publik për institucionet shqiptare. Ajo kërkon që trupi i vëllait të transportohet në Shqipëri, pasi familja nuk ka mundësi financiare për të përballuar këtë proces. Sipas saj, nëna e tyre ka humbur të ardhurat dhe ka shlyer borxhe, duke e bërë të pamundur marrjen përsipër të kësaj loje.
Motra e Andonit ka treguar edhe bisedën e fundit me të vetëm një ditë para tragjedisë, duke thënë se ai ishte i shqetësuar, i stresuar dhe me ankth. Ajo rrëfeu se vëllai i kishte thënë se do të dilte për një xhiro dhe se do të flisnin përsëri më vonë, por nuk u përgjigj më në telefon.
“Unë dua që vëllain ta sjellin këtu. Ne nuk kemi kushte, mamaja nuk ka më një rrogë, i ka larë borxhet. S’ka ç’bëjmë vetë. Nuk duam gjë tjetër, vetëm vëllain ta sjellim në Shqipëri. Fola dje me të. Më tha ‘jam mirë, po dal një xhiro se jam shumë i stresuar’. Ishte me ankth, i trembur. Më tha ‘flasim më vonë’, por nuk më telefonoi më. E mora disa herë, nuk ma hapi. Sot na erdhën dhe na thanë se kishte vdekur. Na thanë vetëm: ‘bëhuni të fortë’. Kaq. Sa herë që flisnim, thoshte ‘mirë jemi, mos ki merak’. Ka dy fëmijë… tani thonë se do t’i marrë shteti. Ne duam t’i marrim këtu fëmijët, një ta marrim ne dhe një gjyshja tjetër. I kemi fëmijët të plagosur në zemër. Ata janë 9 dhe 3 vjeç”, tha ajo.
Lajmin e hidhur për vdekjen e tij, familja e mori nga personat zyrtarë që u kërkuan të bëhen të fortë, pa dhënë më shumë detaje. Një tjetër shqetësim i madh për familjen janë dy fëmijët e çiftit, të moshës 9 dhe 3 vjeç, për të cilët autoritetet franceze kanë paralajmëruar se mund të vendosen në kujdesin e shtetit. Motra e viktimës u shpreh se familja dëshiron t’i marrë fëmijët në Shqipëri, duke propozuar që njëri të rritet nga familja e saj dhe tjetri nga gjyshja tjetër. Ajo theksoi se të vegjlit janë tronditur.