Një ndërveprim i pazakontë dhe mjaft interesant po bën xhiron e rrjetit orët e fundit, ku protagonist është bërë një i ri nga Kosova dhe vetë faqja zyrtare e NASA-s.
Pas publikimit të pamjeve mahnitëse dhe historike nga misioni Artemis II, ku tregohet ana e pasme e Hënës dhe Toka në sfond, jo të gjithë kanë qenë të bindur për vërtetësinë e tyre.
Mes mijëra komenteve, ka rënë në sy ai i Nexhi Krasniqit, i cili ka shprehur hapur skepticizmin e tij për shkak të mungesës së yjeve në hapësirë.
“Pse yjet nuk janë të dukshëm nga ky pozicion? Dyshoj se është krijuar nga inteligjenca artificiale!!” shkruan ai.
Por ajo që ka befasuar të gjithë ka qenë reagimi i shpejtë i NASA-s, e cila ka vendosur t’i kthejë një përgjigje të dedikuar për të sqaruar këtë kuriozitet shkencor dhe teknik të fotografisë në hapësirë, duke rrëzuar poshtë çdo dyshim për ndërhyrje:
“Nuk mund t’i shohim yjet në këto imazhe sepse yjet duken relativisht shumë të zbehtë në krahasim me Hënën, e cila është shumë më afër dhe reflekton shumë më tepër dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një distancë të caktuar midis pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të një skene.”

Ky shkëmbim i drejtpërdrejtë komentesh mes të riut shqiptar dhe agjencisë më të madhe hapësinore në botë është shpërndarë me shpejtësi, duke u kthyer menjëherë në një nga episodet më virale të ditës në rrjetet sociale.