Një skemë e sofistikuar pastrimi parash, ku përfshihet edhe një shqiptar, ka vënë në qendër të vëmendjes një nga markat më të njohura të luksit në botë. Prokurorët në Holandë kanë gjobitur me 500 mijë euro degën holandeze të Louis Vuitton, pasi nuk ka respektuar rregullat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
Hetimi i Zyrës së Prokurorit Publik Kombëtar zbuloi se kompania, për një periudhë të gjatë, nuk kishte kontrolluar siç duhet identitetet e klientëve që kryenin blerje të mëdha me para në dorë, duke krijuar hapësirë për përdorimin e dyqaneve të saj në skema të pastrimit të parave.
Në qendër të kësaj çështjeje është shqiptari nga Saranda, Thanas Bako, i cili konsiderohet si një nga figurat kyçe të një rrjeti të madh kriminal që lëvizte qindra milionë euro. Paratë e siguruara nga aktivitetet e paligjshme dyshohet se përdoreshin për të blerë produkte luksoze, të cilat më pas rishiteshin për të justifikuar origjinën e tyre.
Sipas hetimeve, një grua 36-vjeçare nga Lelystad, e identifikuar si Bei W., mes gushtit 2021 dhe shkurtit 2023 shpenzoi mbi 2 milionë euro në dyqane luksi, përfshirë Louis Vuitton. Ajo përdorte pseudonime të ndryshme dhe mbante çdo pagesë cash nën kufirin e raportimit, për të shmangur kontrollet e autoriteteve.
Mallrat luksoze dërgoheshin më pas në Kinë për t’u rishitur, duke u paraqitur si aktivitet tregtar i ligjshëm. Kjo metodë, e njohur si “Daigou”, përdoret shpesh për transferimin e parave të pista përmes artikujve të luksit.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu për përfshirjen e një ish-punonjëseje të Louis Vuitton, e cila e ndihmonte klienten duke e informuar për produktet e reja dhe duke e këshilluar si të shmangte raportimin e transaksioneve të dyshimta.
Prokurorët theksojnë se edhe markat e luksit kanë detyrimin ligjor të verifikojnë klientët, njësoj si institucionet financiare. Ndërkohë, nga 1 janari 2026, në Holandë është ndaluar pranimi i pagesave cash mbi 3 mijë euro, një masë që synon të frenojë pikërisht skema të tilla.
Ndërsa Louis Vuitton ka pranuar të mbyllë çështjen me një gjobë prej 500 mijë eurosh, procesi gjyqësor ndaj gruas 36-vjeçare, ish-punonjëses së dyqanit dhe një të pandehuri tjetër vijon ende në Gjykatën e Roterdamit.
Sa i përket Thanas Bakos, ai u dënua në shtator 2024 me 7 vite burg, i akuzuar si organizator i një “banke nëntokësore” që lëvizte qindra milionë euro për rrjete kriminale ndërkombëtare. Sipas autoriteteve, ai menaxhonte një rrjet korrierësh që transportonin para në mënyrë të fshehtë, shpesh duke u paraqitur si punëtorë të zakonshëm për të mos rënë në sy.
Hetimet kanë zbuluar se rrjeti i tij kishte lëvizur rreth 246 milionë euro, ndërsa paratë numëroheshin dhe ruheshin në magazina të posaçme, larg syve të autoriteteve.
Ky rast ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e industrisë së luksit në parandalimin e pastrimit të parave, duke treguar se edhe brandet më prestigjioze mund të përdoren si hallkë në zinxhirin e krimit financiar.