Mentor Rama
Familja e Mentor Ramës, 36 vjeçarit shqiptar, i cili ndërroi jetë pas trajtimeve dentare dhe transplantit të flokëve në Turqi, janë të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë dhe e përshkruajnë atë si një njeri të buzëqeshur e dashur.
Rama kishte udhëtuar javën e kaluar drejt Stambollit për procedurat estetike, por pas rikthimit në dhomën e hotelit nisi të ndihej keq. Shërbimet e urgjencës u thirrën menjëherë dhe ai u dërgua në një spital pranë, ku vdiq më 11 nëntor.
Në një postim në Facebook, një familjar shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Mentor Ramës:
“Me humbjen tende, zemra ime asht me e rande se kurre. Ikja jote ka lan nje boshllek qe asgje ne kete bote nuk mund ta mbushe. Kurr nuk e kam menduar se do te me duhet te shkruaja fjale te tilla per ty. Ti ishe drita jone buzeqeshja qe na ngrohte forca qe na ngrinte sa here qe binim.
Ashte e pafund dhimbja kur mendoj se nuk do te shoh me nuk do ta degjoj ma zani tand as te qeshuren tande qe na gezonte te gjitheve. Zoti te paste ne driten dhe meshiren e Tij, shoku im Lutem qe shpirt yt te pushoje ne paqe dhe te gjeje vend ne xhenet, aty ku nuk ekziston as dhimbja, as merzia. Do te me mungosh çdo dite te jetes sime. Do te te mbaj ne zemer pergjithmone. Faleminderit per çdo kujtim qe me dhe per çdo fjale dhe çdo moment qe ndame bashke te Premtoj se ti nuk do te harrohesh kurre. Pushofsh ne paqe vëllai im Per mua ti do te mbetesh gjithmone i gjalle ne kujtime dhe ne dashurine qe le pas”.
Trupi i Ramës i është dorëzuar familjes dhe është riatdhesuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas në Shqipëri.
Turqia prej vitesh është një destinacion i njohur për qytetarët britanikë që kërkojnë ndërhyrje estetike me çmime më të ulëta. Sipas të dhënave të Zyrës së Jashtme britanike, të paktën 28 shtetas britanikë kanë humbur jetën në Turqi mes marsit 2019 dhe marsit 2024 pas procedurave estetike. Paketat e ashtuquajtura të “turizmit mjekësor” mbeten shumë të kërkuara, veçanërisht për trajtimet dentare, të cilat kushtojnë 40 deri në 60 për qind më pak se në Britani.
Megjithatë, dentistet dhe ekspertë të shumtë kanë paralajmëruar mbi rreziqet dhe komplikacionet e procedurave të kryera jashtë vendit.