
Shqiptarët konsumuan 7300 kg pjeshkë me pesticidin e rrezikshëm “Phosmet”, godet zemrën dhe sistemin e frymëmarrjes.
Dështimi Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU-së)në mbrojtjen e sigurisë ushqimore po i faturohet shëndetit të konsumatorit. Së fundmi mësohet se shqiptarët konsumuan 7300 kg pjeshkë me pesticidin e rrezikshëm “Phosmet”, godet zemrën dhe sistemin e frymëmarrjes.
Gjatë muajit shtator në vendin tonë është tregtuar pjeshkë e importuar nga Greqia te e cila ka rezultuar niveli i mbetjeve të pesticidit “Phosmet” është mbi normën e lejuar, i cili përbën risk për shëndetin e njeriut.
Ky pesticid mund të shkaktojë rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës dhe ndryshime të tensionit të gjakut. Njëkohësisht shoqërohet me problematika ne sistemin e frymëmarrjes, sistemin nervor dhe atë tretës.
Burime zyrtare për televizionin “Ora News” bëjnë me dije se sasia e pjeshkave të importuara nga Greqia është 7324 kg.
Pasi është shitur pothuajse 7300 kg, inspektorët e AKU-t kanë dalë në terren dhe kanë bllokuar vetëm 28 kg pjeshka me pesticidin e rrezikshëm.
Teksa siguria ushqimore është në pikën më kritike, AKU refuzon të bëjë transparencë me median dhe konsumatorin duke fshehur emrin e subjektit që importoi produktin që i rrezikoi jetën qytetarëve.