Faturat e energjisë elektrike për familjet shqiptare mbeten ndër më të lartat në rajon, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat.
Në gjysmën e parë të këtij viti, çmimi mesatar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri ka qenë 0.18 euro për kilovat/orë (kWh) — një nivel që e rendit vendin të dytin në Ballkan për kostot më të larta të energjisë, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut, ku çmimi arrin 0.22 euro/kWh.
Krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 0.28 euro/kWh, Shqipëria qëndron dukshëm më poshtë, por në raport me fqinjët, çmimet për familjet shqiptare mbeten më të kripura.
Serbia dhe Mali i Zi regjistrojnë çmime prej 0.17 euro/kWh, Bosnja 0.15 euro, ndërsa Turqia, që ndodhet në fund të listës rajonale, vetëm 0.14 euro/kWh.
Ekspertët shpjegojnë se kjo diferencë vjen nga struktura e tregut vendas, ku energjia prodhohet kryesisht nga hidrocentralet publike dhe mungesa e burimeve të tjera bën që çdo luhatje klimatike të ndikojë drejtpërdrejt në furnizim dhe çmime.
Ndryshe nga vendet e BE-së, ku çmimet rriten nga taksat e karbonit, kostot e rrjetit elektrik dhe investimet në energjinë e rinovueshme, në Shqipëri ndikimin më të madh e kanë kushtet hidrike dhe politikat shtetërore për ruajtjen e tarifave.
Në nivel europian, Çekia dhe Polonia kryesojnë për çmimet më të larta të energjisë elektrike, me 0.39 dhe 0.34 euro/kWh, të ndjekura nga Gjermania dhe Italia, ku çmimet mbeten të larta për shkak të taksave të larta të karbonit dhe kostove të rrjetit.
Në anën tjetër, Islanda, Malta dhe Turqia rezultojnë ndër vendet më të lira në kontinent, me çmime që variojnë nga 0.12 deri në 0.14 euro/kWh.
Megjithëse Shqipëria mban çmimin e dytë më të lartë në rajon, qeveria shqiptare ka theksuar se nuk do të ketë rritje të çmimeve për konsumatorët familjarë.
Në të njëjtën kohë, po investohet intensivisht në energjinë diellore dhe hidrocentralet e vegjël, për të rritur sigurinë energjetike të vendit dhe për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vitet në vijim.
Aktualisht, Shqipëria është një nga vendet me përqindjen më të lartë të energjisë së pastër në Europë, pasi e gjithë energjia për konsum prodhohet nga uji dhe dielli — faktor që e pozicionon vendin mbi mesataren e BE-së për përdorimin e burimeve të qëndrueshme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pa diversifikim të prodhimit dhe investime serioze në rrjetet energjetike, vendi mund të përballet me rritje të mëtejshme të çmimeve në rast krizash hidrike apo mungese reshjesh.

