Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Rita Ora ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me mbështetjen e saj për kombëtaret e Kosovës dhe Shqipërisë në një moment vendimtar për të dyja skuadrat.
Përmes një postimi në InstaStory, ajo ndau një imazh ku shfaqen përfaqësueset e të dy ekipeve, të shoqëruara me sloganet “Forca Kosova” dhe “Forca Shqipëria”, duke i dhënë një mesazh të fortë uniteti dhe krenarie kombëtare. Krahas fotos, Rita shkroi: “Paçit fat. Shpresoj të bëni histori dhe të arrini kualifikimin në Kupën e Botës”, një urim që vjen pikërisht në prag të ndeshjeve vendimtare të play-off-it.

Të dyja kombëtaret zbresin në fushë më 26 mars 2026, në kuadër të gjysmëfinaleve të play-off-it për Botërorin 2026. Shqipëria përballet në transfertë me Poloninë, ndërsa Kosova luan ndaj Sllovakisë, gjithashtu jashtë fushe.
Këto ndeshje janë me eliminim direkt dhe zhvillohen në të njëjtën orë, duke shtuar edhe më shumë emocionin për tifozët shqiptarë, pasi të dy ekipet synojnë një vend në finalen e play-off-it që do të luhet më 31 mars.
Mbështetja e Ritës shihet si një shtysë morale për futbollistët, në një moment ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Artistja ka qenë gjithmonë një zë i fortë për shqiptarët në arenën ndërkombëtare dhe ky reagim i saj ka ngjallur entuziazëm të madh në rrjetet sociale.
Tashmë sytë janë drejt fushës, ku Shqipëria dhe Kosova do të tentojnë të shkruajnë histori dhe të afrohen një hap më shumë drejt Kupës së Botës 2026.