Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur vlerësimet në lidhje me aktin e shqiptarit Elton Zefi i cili shpëtoi 85-vjeçarin italian që ra në lumë me makinë dhe rrezikonte të mbytej.
“Një jetë e shpëtuar falë guximit dhe altruizmit të atyre që zgjodhën të ndërhyjnë. Heronj.”-shprehet Meloni.
Elton Zefi, 32 vjeç, nuk hezitoi kur pa një makinë të zhytej në ujërat e kanalit Battaglia në Padova. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur nga Padova, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta.
Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku. Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë duke shpëtuar 85-vjeçarin.