Një përleshje e dhunshme dhe e armatosur ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Shkodër–Koplik, ku Edison Tirana, 42 vjeç, banues në Bericë, është plagosur nga disa persona që dyshohet ta kenë goditur me sende të forta.
Ngjarja ka ndodhur rreth hyrjes së qytetit të Koplikut, pas një konflikti për motive të dobëta. Përveç goditjeve fizike, gjatë incidentit janë qëlluar edhe plumba drejt automjetit të 42-vjeçarit, të cilët nuk e kanë prekur drejtpërdrejt, por kanë shkaktuar panik dhe humbje kontrolli mbi mjetin. Mjeti përfundoi i përplasur me barrierat anësore të rrugës, pranë një karburanti.
Pas përplasjes, i plagosuri u drejtua në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, rreth orës 19:30, ku iu konstatuan dëmtime në kokë dhe trup, të dyshuara të shkaktuara nga sende të forta. Policia po vijon hetimet për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.