Tregu muzikor shqiptar ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes, jo vetëm për performancat e artistëve, por edhe për tarifat e larta që ata marrin për netët live. Sipas një deklarate të fundit të menaxherit të njohur Xhani Demika, një artist ka arritur të marrë deri në 60 mijë euro për një natë, një shifër që ka ngjallur kuriozitet të madh në media dhe publik.
“Një artist është një herë në muaj në klub, pasi më shpesh konsumohet imazhi. Pagesa e artistëve është personale. Unë bëj marrëveshjen, por shifra është personale. Ka artistë që marrin më shumë nga sa meritojnë, dhe të tjerë që nuk e meritojnë vlerën që marrin,” – shpjegoi Xhani Demika.
Xhensila Myrtezaj, më e paguara e sezonit veror
Në fokus të publikut këtë sezon ka qenë Xhensila Myrtezaj, e cila ka mbajtur fronin si artistja më e paguar në treg. Një koncert i saj brenda Shqipërisë shkon deri në 15 mijë euro, ndërsa ka pasur raste që tarifat kanë arritur deri në dyfishin e kësaj shume jashtë vendit.
Ky rekord lidhet me një natë të rëndësishme festive, ku artistët zakonisht rrisin tarifat e tyre. Përveç Xhensilës, një tjetër këngëtare shumë e paguar është edhe Dafina Zeqiri, e cila, edhe pse nuk ishte prezente gjatë sezonit veror, tarifat e saj dimërore arrijnë deri në 10 mijë euro.
Tregu muzikor dhe momentet e larta të pagave
Menaxheri Xhani Demika ka shtuar se, gjatë festave dhe datave të veçanta, tarifat e artistëve janë më të larta, ndërsa gjatë muajve si Ramazani, shfaqjet dhe pagesat përgjysmohen. Sipas tij, dita e premte dhe e shtunë janë periudha më të fokusuara, ndërsa konkurrenca mes artistëve ndikon gjithashtu në vlerën e tyre.
“Viti i ri dyfishon çmimet. Shifra më e lartë që kemi paguar ka qenë 60 mijë euro për një natë. Të gjithë artistët janë me deklarime, dhe artistja i ka marrë këto shuma në një natë,” – tha Demika.
Surpriza e re: Finem
Përtej artistëve të vjetër dhe të njohur, tregu muzikor ka parë edhe surpriza. Menaxheri ka përmendur Finem, një artist i ri që ka bërë zhurmë të madhe me talentin e tij dhe performancat e suksesshme:
“Finem më ka surprizuar shumë, pati zhurmë shumë të madhe dhe talent shumë të madh. Edhe pse nuk e kam në menaxhim, ka punuar fort dhe po ngre shumë zhurmë në treg,” – shtoi ai.