Debati në studion e “Opinion” këtë të enjte nuk ka qenë aspak i qetë. Teksa në panel po diskutohej mbi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, situata ka degraduar në përplasje të forta mes gazetarit Berat Buzhala dhe shkrimtarit Albatros Rexhaj.
Fillimisht shkëmbimet mes tyre kanë qenë të ashpra në nivel verbal. Buzhala e ka akuzuar Rexhajn se kishte ardhur në studio “për të sabotuar debatin”, ndërsa Rexhaj i është kundërpërgjigjur duke e cilësuar si një zë që merret vetëm me kritika ndaj Albin Kurtit.
Tensioni arriti kulmin kur Buzhala u ngrit nga karrigia, me një shishe uji në dorë, dhe iu afrua Rexhajt duke e kapur me duar. Në ato momente ka ndërhyrë menjëherë moderatori Blendi Fevziu, së bashku me të ftuarin tjetër Ermal Hasimja, për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Pas ndërhyrjes, gjakrat u qetësuan dhe dy protagonistët kërkuan ndjesë publikisht, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit në shenjë pajtimi.