Parlamenti i Senegalit ka miratuar një projektligj të ri që ashpërson ndjeshëm dënimet për marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks, duke e çuar dënimin maksimal deri në 10 vite burg. Sipas raportimeve ndërkombëtare, projektligji u votua me 135 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenime, ndërsa tashmë pritet firma e presidentit Bassirou Diomaye Faye për t’u kthyer në ligj.
Ligji i ri dyfishon praktikisht kufirin maksimal të dënimit që parashikohej më parë në Senegal, ku marrëdhëniet homoseksuale dënoheshin me 1 deri në 5 vite burg. Me ndryshimet e reja, dënimi do të shkojë në 5 deri në 10 vite, ndërsa rriten edhe gjobat financiare, që sipas raportimeve mund të arrijnë deri në 10 milionë franga CFA.
Sipas Reuters dhe AP, projektligji nuk ndalet vetëm te ashpërsimi i dënimeve për marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks, por parashikon edhe masa kundër asaj që përkufizohet si “promovim” apo “financim” i homoseksualitetit. Kjo lëvizje ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e kanë cilësuar ligjin si një hap prapa për liritë themelore dhe të drejtat e njeriut.
Projektligji u paraqit fillimisht nga kryeministri Ousmane Sonko në fund të shkurtit, si pjesë e një premtimi politik të bërë pas zgjedhjeve të vitit 2024. Sipas mediave ndërkombëtare, nisma ka ardhur në një klimë të tensionuar në Senegal, ku muajt e fundit janë raportuar edhe arrestime të personave të akuzuar sipas ligjeve ekzistuese për “akte kundër natyrës”.
Miratimi i këtij projektligji e vendos Senegalin në radhën e vendeve afrikane që po lëvizin drejt një ashpërsimi edhe më të madh të ligjeve kundër komunitetit LGBT+, në një kohë kur çështja vazhdon të shkaktojë debat të fortë brenda dhe jashtë kontinentit.