Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur ditën e sotme seanca e radhës në rastin e vrasjes së Lirdona Ademajt, ku i akuzuari kryesor për këtë rast është bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli dhe dy të tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Në këtë seancë po dëshmojnë zyrtarë të Psikiatrisë Forenzike për ekzaminimin e gjendjes së Naim Murseli.
Ish- drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, në dëshminë e tij u shpreh se nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor tek i akuzuari. Por Naim Murseli pati një pyetje rreth raportit për ekspertizën psikiatrike që i është bërë atij.
“Ne media kam parë tituj që ekzaminimi im thotë që Naim Murseli ishte në gjendje të aftësisë në momentin kur vrau gruan e tij. Pyetja ime është kjo. A e thotë raporti që unë e kam vrarë gruan time”, tha Murseli në seancë.
Shpend Haxhibeqiri ish- drejtor i Psikiatrisë Forenzike në QKUK ka dhënë dëshminë e tij, sa i përket raportit psikiatrik për Naim Murselin, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj. Haxhibeqiri, gjatë seancës tha se Murseli gjatë qëndrimit në klinikë, ka refuzuar tabletat “Psikopharmak”, që rekomandohen për personat me çrregullime mendore.
“Psikopharmak” rekomandohen për trajtimin e simptomave e çrregullimeve mendore, si depresioni, ankthi, skizofrenia, çrregullimet bipolare, çrregullimet e panikut, obsesive-kompulsive, e të tjera.