
Vetëm pak javë para se të ndodhte tragjedia, Savannah Kulla, 29-vjeçarja shqiptare e vrarë nga bashkëshorti i saj në Kanada, kishte ndarë me ndjekësit momente të lumtura nga jeta familjare.
Në rrjetet e saj sociale, Savannah postonte shpesh video ku shfaqej me bashkëshortin, Anthony Deschepper, dhe katër fëmijët e tyre të vegjël. Në një prej postimeve të fundit, çifti shihet duke gatuar bashkë në kuzhinë, duke qeshur dhe përqafuar njëri-tjetrin, një pamje që sot duket e pabesueshme, duke ditur fundin tragjik që mori marrëdhënia e tyre.
Pamjet tregojnë një çift që nga jashtë dukej i dashuruar dhe i bashkuar, ndërsa askush nuk e kishte menduar se pas buzëqeshjeve fshihej një realitet i errët dhune dhe tensioni.
Ajo shkruante në një prej postimeve:
“Ata thanë se nuk do t’ia dilnim kurrë, se bota do të na mposhtte por pas çdo beteje, ne jemi ende në këmbë. Një fije e padukshme na tërhoqi përmes gjithçkaje, një premtim i heshtur se shpirtërat binjakë, pavarësisht luftës apo kaosit, gjithmonë përfundojnë aty ku janë të destinuar të jenë. Të dua dhe do t’i kalojmë edhe këto kohë të vështira, bashkë.“
Postimet e Savannah-s janë mbushur tani me komente ngushëlluese nga miq, familjarë dhe ndjekës.





