Jeta e Sulo Astrit Halilit, 27-vjeç nga Becishti i Tepelenës, u shua në mënyrë makabre në Greqi, duke lënë pas një familje të re të shkatërruar nga dhimbja. I martuar, Sulo ishte baba i dy fëmijëve të vegjël: vajzës së tij të parë 2 vjeçe, dhe djalit të vogël, i lindur më 5 tetor të këtij viti, pak para ngjarjes tronditëse.


Një ditë para se të zbulohej identiteti i viktimës, familjarët e Sulo-s kishin bërë thirrje publike për ndihmë, duke postuar në Facebook kërkesa për informacion lidhur me zhdukjen e tij. Ata shprehën shqetësimin e madh për humbjen e papritur, pa e ditur se ai kishte rënë viktimë e një krimi të qëllimshëm.



Hetimet zbuluan një realitet tmerrues: Sulo u vra me armë zjarri, u prangos në sediljen e pasme të makinës së tij dhe më pas makina u dogj me trupin e tij brenda, në një akt të qëllimshëm për të fshehur gjurmët. Ekspertët mjeko-ligjor gjetën një objekt metalik brenda trupit, që konfirmon se ai ishte qëlluar para se të digjej.

Ngjarja e tmerrshme ka lënë një boshllëk të madh për bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të vegjël, të cilët tani përballen me humbjen e një babai dhe burri të dashur. Hetuesit grekë nuk përjashtojnë përfshirjen e aktiviteteve kriminale, ndërsa rezultatet e ADN-së konfirmuan identitetin e viktimës ditën e sotme.


