Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në dhomën e një hoteli ku qëndronte prej disa muajsh.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshohet se e reja ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në banjë. Ajo është gjetur pranë dushit, me ujin ende duke rrjedhur, e shtrirë në kurriz dhe me kokën e anuar, çka përforcon pistën se mund të ketë rrëshqitur gjatë larjes dhe të ketë pësuar goditje fatale.
Nga kqyrja fillestare e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të dukshme të jashtme. Dyshohet se 31-vjeçarja kishte ndërruar jetë 2 deri në 3 ditë përpara se të zbulohej, ndërsa trupi kishte nisur të dekompozohej dhe në dhomë ndihej erë e rëndë.
E reja kishte qëndruar në këtë hotel që prej dhjetorit 2025 dhe, sipas dëshmive, frekuentonte shpesh zonën, duke qëndruar për periudha disa javore dhe duke u rikthyer sërish. Personat që e njihnin e përshkruajnë si një vajzë të qetë, me jetë të thjeshtë dhe që nuk konsumonte pije alkoolike.
Zbulimi i ngjarjes erdhi pasi nëna e saj ngriti shqetësimin, duke mos arritur të komunikonte me të bijën. Pas njoftimit të hotelit, punonjësit hapën derën me çelës rezervë dhe e gjetën të pajetë, duke lajmëruar menjëherë Policinë.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj dy administratorëve të hotelit, pasi dyshohet se nuk kishin lëshuar kupon tatimor për qëndrimin e saj që prej muajit dhjetor 2025.
Trupi i viktimës është dërguar për autopsi mjekoligjore, ndërsa janë marrë edhe mostra biologjike për analiza të mëtejshme në laboratorin kriminalistik në Tiranë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjekoligjore që do të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje.