
Sistemi i drejtësisë tronditet pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Pak momente pas ngjarjes, policia arrestoi oficerin e sigurisë në hyrje të godinës, pasi dyshohet se ka dështuar në kontrollin e autorit.
Bëhet me dije se oficeri i sigurisë nuk arriti të konstatojë armën që 31-vjeçari Ervis Shkambi mbante me vete, një pistoletë tip “Beretta”, me të cilën më pas ekzekutoi gjyqtarin Kalaja gjatë seancës ditën e sotme
Sipas hetimeve paraprake, Shkambi kishte hyrë i qetë në ambientet e gjykatës, kishte ndjekur procesin deri në shpalljen e vendimit dhe më pas qëlloi tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend. Nga të shtënat u plagosën gjithashtu dy persona të tjerë, babë e bir, që ishin palë kundërshtare në çështjen për pronën.
Pas krimit, autori doli në korridor, i dorëzoi armën rojes së sigurisë dhe u vetëdorëzua te policia, duke pranuar menjëherë vrasjen.
Ndërkohë, arrestimi i rojes së sigurisë ka hapur debate të forta mbi mënyrën se si ruhet një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe sa e sigurtë është jeta e secilit prej nesh në këtë vend.