Hyrja surprizë e Luiz Ejllit për vetëm dy ditë në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania” trazoi ndjeshëm dinamikat mes banorëve, të cilët nuk kishin asnjë informacion për misionin e tij. Prania e tij krijoi menjëherë tension dhe reagime të forta brenda shtëpisë.
Ai që e përjetoi më shumë këtë situatë ishte Rogerti, i cili u duk qartë se u ndje i kërcënuar nga profili dhe prezenca e Luizit. Në vend që ta përballonte situatën me qetësi, ai reagoi me tone të ashpra, duke kaluar në sulme verbale.
Në një moment tensioni, Rogerti përdori një gjuhë ofenduese ndaj Luizit, duke e fyer dhe duke artikuluar edhe kërcënime të drejtpërdrejta, çka shkaktoi reagime të shumta në rrjet.
Pas këtij episodi, vëmendja u zhvendos menjëherë në spektaklin “BBVIP Fan Club”, ku në studio ishte e ftuar bashkëshortja e Rogertit. Ajo u përball me moderatoren Kiara Tito, e cila njëkohësisht është bashkëshortja e Luizit.
Tensioni pritej të ishte i lartë, duke qenë se situata në shtëpi kishte qenë e nxehtë dhe publiku priste një reagim më të fortë nga Kiara. Por ajo zgjodhi një qasje krejt ndryshe.
Me shumë profesionalizëm dhe qetësi, Kiara vendosi të mos e vazhdojë konfliktin, duke treguar empati ndaj bashkëshortes së Rogertit. Ajo iu afrua me një përqafim, duke i thënë: “Të shoh shumë të tensionuar.”
Madje, që në fillim të prezantimit, Kiara theksoi: “Burrat tanë nuk është se shkuan shumë mirë në BBVIP, por ne do tregojmë që jemi gra të forta dhe bashkëpunuese”.
Ky moment u vlerësua menjëherë nga publiku në rrjetet sociale, duke u konsideruar si një shembull i mirë i respektit dhe qytetarisë, pavarësisht tensioneve që krijohen brenda shtëpisë.