Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin që prej mbrëmjes. Në Durrës dhe në Lezhë ka pasur përmbytje të rrugëve dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Situata në Durrës paraqitet problematike në disa akse kryesore veçanërisht në zonën pranë stadiumit dhe në shëtitoren e Vollgës. Drejtuesit këshillohen të lëvizin me kujdes për të shmangur ndonjë inccident të mundshëm.
Edhe në Lezhë situata paraqitet problematike. Niveli i ujit ka arritur në 40 cm në lagjen “Besëlidhja”, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova”.
Ndërkohë reshjet dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Edhe ditën e sotme vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Aktualisht sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.
Që prej ditës së djeshme po kryhet monitorim periodik i niveleve të lumenjve Drin e Bunë, si edhe i Liqenit të Shkodrës. Kuotat e regjistruara deri në këto momente nuk paraqesin rrezik për përmbytje.