Pas atentatit të ndodhur pranë zonës së Rinasit, më 11 nëntor ku u vra Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani, alias Sheqeri, forcat e rendit kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në zona të ndryshme të vendit me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe personave të përfshirë.
Kontrollet janë shtrirë në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë Krujë. Pikërisht gjatë një operacioni në Nikël, është gjetur një arsenal armësh dhe minash, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me grupime kriminale aktive në zonë. Në banesë janë gjetur automatikë, një mitroloz, pjesë armësh të ndryshme, 12 granata ,fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, si dhe 3 kallëpë tritoli. Poseduesi i armëve Ylli Zalla është shpallur në kërkim dhe dyshohet të jetë bashkëpunëtor me autorët e atentatit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP, Muçi Shaljani.
Lexo edhe:
Mjeti i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës, i shpallur në kërkim për arsenalin e armëve të gjetur në Nikël.

Njoftimi i Policisë:
Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 12.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.
Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Poseduesi i armëve Ylli Zalla është shpallur në kërkim dhe dyshohet të jetë bashkëpunëtor me autorët e atentatit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë punonjësi i AMP, Muçi Shaljani.
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë ka mbetur edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.