Raporti i Fondacionit “Së Bashku”
Institucionet publike, përgjegjëse për trajtimin e dhunës me bazë gjinore, nuk ofrojnë aksesueshmërinë e nevojshme në infrastrukturë, informacion dhe komunikimin për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara që janë viktima të dhunës. Ky është rezultati i një vëzhgimi të organizuar nga Fondacioni “Sё Bashku”, në kuadër të Programit “Zvogëlimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe praktikave të dëmshme përmes Qeverisjes së Përgjegjshme Gjinore” i financuar nga Qeveria e Italisë dhe i zbatuar nga UNFPA në partneritet me Qeverinë Shqiptare.
Vëzhgimi në terren, nëpërmjet verifikimeve vziuale dhe pyetësorve, është bërë në tre qytete të vendit dhe përfshiu 94 institucione, prej të cilave 48 në Tiranë, 15 në Dibër dhe 31 në Vlorë.
Nga vëzhgimet e bëra në bashki, gjykata, polici, qendra shëndetësore, strehëza, qendrat e ndihmës juridike falas etj., ka rezultuar se asnjë institucion nuk është plotësisht i aksesueshëm. Në Tiranë, vetëm 35.4% e institucioneve janë të aksesueshme, në Dibër, aksesimi është i mundur në vetëm 26.7% dhe në Vlorë, aksesimi është në vetëm 19.4%.
Madje, edhe këto institucione pjesërisht të aksesueshme nuk kanë elementët thelbësorë për akses të pavarur, si tualetet e përshtatura, ashensorët për katet e sipërme dhe elementët taktilë për orientimin e personave me aftësi të kufizuara në shikim.
Problematikë e theksuar gjatë vëzhgimit në terren është konstatuar edhe aksesueshmëria në informacion e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara që janë viktima të dhunës. Në Tiranë, 79.2% e institucioneve nuk ofrojnë materiale në Braille, versione audio, udhëzime vizuale, video me titra apo edhe gjuhën e shenjave. Ndërsa në Dibër dhe Vlorë, aksesi në informacion dhe komunikim është inekzistent.
Gjatë vëzhgimit, ekspertët janë hasur edhe me vështirësi, pasi disa institucione nuk lejuan fotografimin, duke kufizuar verefikimin vizual të disa elementeve të aksesueshmërisë. Po ashtu, një tjetër aspekt i rëndësishëm që është konstatuar është edhe mungesa e të dhënave, të ndara sipas llojit të aftësisë së kufizuar në nivel instititucional, gjë që sjell analizën e diferencuar të disa kategorive të aftësive.
Në raportin prej 35 faqesh të publikuar nga Fondacioni “Sё Bashku”, propozohen masa të menjëhershme si sinjalistikë bazë, instalim të rampave funksionale, sportele dhe tualete të përshtatura, paketa minimale informacioni në formate të aksesueshme si dhe masa strukturore. Po ashtu, sugjerohet që stafi i institucioneve të përfshira në zinxhirin e përgjigjes ndaj dhunës tek personat me aftësi të kufizuara, të trajnohet për komunikimin etik dhe gjithëpërfshirës, gjë e cila nuk rezultonte të ishte bërë të paktën 12 muajt e fundit.
Tabelë:
Bashkia Tiranë – 48 institucione të monitoruara:
- 0% plotësisht të aksesueshme
- 35.4% pjesërisht të aksesueshme
- 64.6% të paaksesueshme
Bashkia Dibër – 15 institucione monitoruara:
- 0% plotësisht të aksesueshme
- 26.7% pjesërisht të aksesueshme
- 73.3% të paaksesueshme
Bashkia Vlorë – 31 institucione monitoruara:
- 0% plotësisht të aksesueshme
- 19.4% pjesërisht të aksesueshme
- 80.6% të paaksesueshme