Screenshot
Përplasjet mes Juelës dhe Gretës në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania” kanë vazhduar prej disa ditësh, por situata ka arritur kulmin gjatë Prime-it të fundit, ku një debat i nisur gjatë një sfide ka degjeneruar në ofendime të rënda dhe ka përfshirë edhe Selin.
Gjatë diskutimit për një koment të bërë në sfidë, Juela u përpoq të shpjegonte se fjala e saj kishte qenë vetëm në kuadër të lojës. Ajo tha se gjatë sfidës kishte bërë një koment të thjeshtë: “kujdes nga vrimat”, duke iu referuar situatës së lojës dhe një fjale të përdorur më herët nga Greta në italisht.
“Gjatë sfidës, siç u pa në klip, unë bëra thjesht një koment. Kjo vajzë mezi pret t’i drejtojë veshët dhe bashkë me kunatën e saj të kapin fjalë dhe t’i keqpërdorin. Komenti im ka qenë vetëm për lojën,” u shpreh Juela, duke shtuar se nuk kishte asnjë qëllim tjetër dhe se ishte përmendur padrejtësisht edhe babai i saj dhe puna që ajo bën jashtë.
Në debat u përfshi edhe Selin, pasi Juela kërkoi shpjegim për përdorimin e fjalës “bastarde”. Selin u justifikua duke thënë se nuk e dinte që fjala kishte një konotacion kaq të rëndë.
“Më vjen shumë keq ta shoh veten në këtë situatë. Me sinqeritet nuk e dija që fjala ‘bastarde’ kishte një kuptim kaq të rëndë,” tha ajo.
Nga ana tjetër, Greta reagoi ashpër ndaj Juelës, duke e akuzuar se komentet e saj kishin qenë tendencioze dhe të përsëritura.
“Ti nuk je më në shina, ke humbur kontrollin. Vetëm me mua je marrë. Është hera e tretë që bën komente tendencioze dhe nuk do t’i toleroj,” u shpreh Greta, duke theksuar se ishte rritur me kulturë dhe se nuk i pranonte të tilla sjellje.
Debati mes tyre u përshkallëzua edhe më shumë kur Greta përdori një ofendim të rëndë ndaj Juelës duke e quajtur “prostitute”. Ky moment shkaktoi reagim të menjëhershëm nga produksioni.
Pas situatës së krijuar, moderatori Ledion Liço komunikoi vendimin e Vëllait të Madh, duke njoftuar se Greta përjashtohej nga loja për shkak të gjuhës fyese dhe shkeljes së rregullave të programit.
Vendimi u mor në mënyrë të menjëhershme në Prime, duke i dhënë fund rrugëtimit të Gretës në shtëpinë më të famshme në Shqipëri dhe duke shkaktuar reagime të forta mes banorëve dhe publikut në rrjetet sociale.