Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj të ri që i jep shërbimeve të sigurisë kompetenca të zgjeruara për të kufizuar ose ndërprerë aksesin në internet brenda territorit rus, përfshirë edhe zonat e pushtuara të Ukrainës.
Sipas dispozitave të reja, ofruesit e internetit do të detyrohen të ndërpresin aksesin në rrjet me urdhër të autoriteteve shtetërore dhe do të përjashtohen nga përgjegjësia ligjore për pasojat që mund të vijnë nga këto ndërprerje.
E përditshmja britanike The Telegraphraporton se ligji i jep presidentit rus të drejtën të vendosë personalisht kur komunikimet online duhet të çaktivizohen, qoftë në nivel kombëtar apo në rajone të veçanta, pa qenë i detyruar të ofrojë shpjegime publike.
Projektligji ishte prezantuar në fund të vitit të kaluar me argumentin se synon mbrojtjen e qytetarëve dhe të shtetit nga kërcënimet e sigurisë, si dhe garantimin e mbrojtjes ligjore për kompanitë e telekomunikacionit që zbatojnë urdhrat.
Ndërkohë, zëvendësministri rus i Zhvillimit Dixhital, Ivan Lebedev, ka deklaruar se formulimi i ligjit do të mbetet qëllimisht i paqartë mbi shërbimet që mund të ndërpriten, me qëllim – sipas tij – “ngatërrimin e armiqve” të Rusisë.
Në disa rajone ruse, ndërprerjet e internetit celular janë bërë tashmë të zakonshme. Autoritetet pretendojnë se masa të tilla ndihmojnë në parandalimin e sulmeve me dronë, të cilët mund të përdorin sinjalet e të dhënave për navigim.