Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas skandalit të publikuar në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, duke bërë të ditur se mësuesja Mine Hasani është larguar nga detyra.
Rasti u denoncua të martën, më 24 shkurt, nga emisioni investigativ Stop në Tv Klan, i cili publikoi pamje filmike të siguruara me kamera të fshehtë
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Kumbaro u shpreh:
“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit.
Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë.”
Ministrja sqaroi se hetimi administrativ do të vijojë, duke përfshirë të gjithë zinxhirin komandues dhe një analizë të thelluar të situatës.
“Jo vetëm për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton titullin mësues, por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit, rolin e psikologëve dhe të drejtuesve të shkollës”, tha ajo.