Janë publikuar pamjet e momentit kur reperi Mossi dyshohet se përfshihet në dhunën ndaj gazetarit Burim Pacolli, një incident që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, reperi Gramos Krasniqi, i njohur me emrin artistik Mossi, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës në lidhje me këtë ngjarje. Ai dyshohet se bashkë me disa persona të tjerë kanë sulmuar fizikisht gazetarin Pacolli në Prishtinë, ndërsa rasti është nën hetim nga autoritetet.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur kur gazetari ndodhej në një bankë për të kryer disa veprime personale. Sipas raportimeve, ai është përballur me disa persona, mes tyre edhe Mossin, dhe situata ka degraduar në dhunë fizike.
Motivi i konfliktit dyshohet të lidhet me analizat dhe komentet kritike që gazetari kishte bërë së fundmi për skenën e hip-hopit dhe për disa freestyle të artistëve të njohur, çka mund të ketë shkaktuar përplasjen mes palëve.
Ndërkohë, pamjet e publikuara nga IndeksOnline tregojnë momentin e përplasjes fizike, ku disa persona godasin një person të shtrirë në tokë, ndërsa të tjerë përpiqen ta mbajnë situatën nën kontroll. Videoja është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka ndezur debat për sigurinë e gazetarëve dhe përgjegjësinë ligjore në raste të tilla.
Rasti mbetet në zhvillim, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të tjera mbi rrethanat e incidentit dhe masat që do të merren ndaj personave të përfshirë.