Një festë me muzikë dhe valle kretase në zonën e Metamorfosis, në Athinë, përfundoi në një përleshje të përgjakshme në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ku u plagosën katër persona, tre shqiptarë dhe një grek me origjinë nga Kreta, i cili ndërhyri për të ndalur sherrin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 pas mesnate, në kryqëzimin e rrugëve Ermou dhe Lykourgou, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Kretasve të Metamorfosis.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka nisi nga një debat banal mes disa shqiptarëve që po largoheshin nga festa.
Shkak u bë një keqkuptim i thjeshtë: “Pse më sheh? Lëviz të kaloj”, u dëgjua në fillim të debatit që shumë shpejt eskaloi në një përleshje masive.
Përleshja përfshiu rreth 20 persona dhe u përdorën mjete të mprehta, duke shkaktuar panik të madh mes pjesëmarrësve të tjerë në festë.
Si pasojë, katër persona mbetën të plagosur dhe u transportuan në spitalin KAT të Athinës:
Dy shqiptarë të lindur në vitet 1999 dhe 2000, me plagë serioze në kraharor, brinjë dhe në zonën e sqetullës;
Një grek i lindur në vitin 2000, i cili u godit në pjesën e mesit nga një mjet i mprehtë, ndërsa përpiqej të ndalte përleshjen;
Një tjetër shqiptar i lindur në vitin 2000, me plagë në krah, brinjë, kraharor dhe mavijosje në fytyrë.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.