Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën e Bathores në Kamëz, ku një konflikt mes të miturve ka degjeneruar në përdorim të mjeteve të ftohta (thika).
Sipas informacioneve paraprake, pesë persona kanë mbetur të plagosur gjatë sherrit që ka ndodhur rreth orës 18:30, në Pedonalen e Bathores. Të gjithë të lënduarit janë dërguar menjëherë në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se konflikti ka nisur për motive banale, teksa njëri prej të miturve i është drejtuar tjetrit me fjalët “Pse më sheh ashtu?”, duke ndezur menjëherë tensionet mes dy grupeve.
Në përleshjen që pasoi, disa prej tyre kanë përdorur mjete të mprehta, duke shkaktuar plagosje të lehta. Policia ka ndërhyrë menjëherë, ka shoqëruar disa persona të përfshirë në ngjarje, ndërsa grupi hetimor ndodhet ende në terren për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e konfliktit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet:
“Rreth orës 18:30, tek Pedonalja e Bathores, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta disa të mitur. Gjatë konfliktit kanë marrë dëmtime të lehta 5 shtetas, dyshohet me mjet të mprehtë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas, ndërsa Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.”