Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesnatës në qytetin e Beratit, në lagjen Kombinat, ku i dëmtuar ka mbetur 37-vjeçari Fabiel Xhindi (i njohur edhe si Toska).
Policia u njoftua pasi i plagosuri mbërriti në spital i shoqëruar nga një mik i tij. Sipas të dhënave paraprake, Xhindi ishte përfshirë në një debat verbal me disa persona të tjerë. Pasi ka dalë nga automjeti, një individ ende i paidentifikuar dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja ka ndodhur teksa Toska udhëtonte me një shok në automjetin e tij. Në një moment, ata janë parakaluar nga një automjet tjetër, i cili më pas u ka bërë shenjë me drita që të ndalonin.
37-vjeçari ka zbritur nga makina dhe është afruar drejt xhamit të shoferit të automjetit që i parakaloi. Pikërisht në atë moment, shoferi e ka qëlluar Toskën me një plumb në bark, duke e lënë të plagosur rëndë.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa i plagosuri vijon të marrë mjekim në spital. Hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes janë ende në vijim.
Xhindi njihet nga autoritetet si i përfshirë në rrjetet e narkotrafikut në Gjermani dhe Belgjikë.
Mësohet se ai ishte kthyer në Shqipëri rreth 10 ditë më parë. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.