Tifozët serbë vazhdojnë provokimet ndaj kuqezinjve, vetëm pak orë para përballjes së madhe Serbi–Shqipëri në Leskovc.
Provokimet nuk kanë të ndalur në prag të ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila luhet sonte në stadiumin e Leskovcit. Ndërsa Kombëtarja shqiptare përgatitet për “finalen” e madhe, në qytetet përreth po shfaqen gjeste që nxisin tension dhe përplasje.
Së fundmi, tifozë serbë kanë vendosur në rrugët e Nishit, aty ku është akomoduar Kombëtarja shqiptare, parrulla dhe postera me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin e Serbisë.
Pamjet nga vendi tregojnë se këto materiale janë vendosur vetëm disa metra larg hotelit ku po qëndrojnë kuqezinjtë, në një përpjekje të hapur për të provokuar ekipin dhe tifozët shqiptarë.
Ky veprim vjen pas një tjetër episodi që ka ngjallur reagime: heqja e flamurit shqiptar nga stadiumi në Leskovc, që autoritetet serbe e justifikuan si masë “për shmangien e incidenteve”. Por për shumëkënd, këto veprime janë provokime të qëllimshme me sfond politik, që bien ndesh me parimet e sportit.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të FIFA-s dhe UEFA-s për të mbajtur sportin larg çështjeve politike, tifozët serbë duket se nuk i kanë marrë parasysh këto paralajmërime.
Vendosja e hartës së Kosovës me flamurin serb konsiderohet një gjest i pahijshëm dhe provokues, që synon të nxisë ndjenja nacionaliste në prag të një ndeshjeje të ndjeshme për të dy kombet.
Burime nga terreni bëjnë me dije se forcat policore serbe janë vendosur në perimetrin e hotelit për të garantuar sigurinë e ekipit shqiptar, i cili ndodhet nën masa të rrepta mbrojtjeje.
Pavarësisht provokimeve, burime pranë ekipit Kombëtar theksojnë se futbollistët shqiptarë janë të qetë dhe të përqendruar vetëm te loja. Sylvinho dhe stafi i tij po kërkojnë që skuadra të mbajë fokusin maksimal për të dhënë përgjigjen më të fortë në fushën e lojës, jo jashtë saj.
Sfida mes Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet sonte në orën 20:45 në Leskovc, nën masa të paprecedenta sigurie dhe me një vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Një ndeshje futbolli që po shndërrohet në test për sportivitetin dhe dinjitetin e dy vendeve.
Në njërën anë provokimet, në tjetrën përkushtimi i kuqezinjve për të treguar se respekti dhe loja e ndershme janë përgjigjja më e fortë.