Krimi i ndodhur ditën e sotme në Roskovec, ku i moshuari qëlloi për vdekje gruan e tij e pastaj kreu vetëvrasje, ka tronditur mbarë opinionin publik, por më së shumti të afërmit e viktimave.
Burimet bëjnë me dije se motra e të moshuarës, Dashuries, që sot u vra nga burri i saj, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike.
Kujtojmë se krimi i rëndë ndodhi pasditen e sotme ku i moshuari Shefit Rrapaj i mori jetën gruas së tij, Dashurie Rrapaj dhe pastaj kreu vetëvrasje.
Ngjarja ka tronditur mbarë vendin, pasi të afërm dhe fqinjët e viktimave janë shprehur se ata ishin njerëz të qetë, joproblematik dhe mjaft punëtorë. Ndërsa janë ngritur dyshimet se shkak i ngjarjes së rëndë është bërë djali i tyre i vogël, për të cilin fqinjët thanë se i linte të ardhurat në lloto.
Kjo dyshohet të ketë qenë problematika e fundit çka kishte shkaktuar debate të ashpra mes çiftit, ku diskutimi më i fundit rezultoi fatal për ta.
Mësohet se çifti Rrapaj ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajzave dhe 6 djemve. Ndërsa prej 20 vitesh jetonin në zonën e Roskovecit, ku do të mbahen mend si njerëz të mirë.
