Novruz Cenaila, efektivi i Shqiponjave, i cili mesditën e 13 majit, u vra me një plumb në kokë teksa po shkonte të merrte shërbimin përcillet sot për në banesën e fundit. Kolegët e veshur me uniformën e policisë dhe me nderime vendosën arkivolin në hollin e teatrit Bylis në Fier ku prej orës 10:00 po mbahen homazhet.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm, Rrumbullaku shkuan në homazhe dhe u përkulën me nderime para arkivolit. Homazheve iu bashkuan edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë.
28-vjeçari Cenaila kishte vetëm një muaj që ishte martuar, por u vra pas një debati me 23-vjeçarin Azgan Mërnica për radhën e kalimit në rrugën e ngushtë të fshatit Baltëz në Fier.

Autori i vrasjes, Azgan Mërnica është ende në arratia. Policia ka vijuar me kërkimet, por deri më tani pa rezultat. Mbrëmjen e djeshme kontrollet u shtrinë edhe në Tepelenë dhe Gjirokastër. Dyshohet se ai synon të kalojë kufirin me Greqinë. Mërnica konsiderohet i rrezikshëm, pasi me vete dyshohet se mban armën e krimit.