
Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar pas valës së komenteve dhe reagimeve që kanë shpërthyer në rrjete sociale, pas njoftimit se reperi Fero do të jetë i ftuari i radhës në podcastin e saj, “Mirmëbrëma YJE”.


Në një postim në Instastory, Arbana theksoi se ka lexuar çdo reagim që ka qarkulluar lidhur me pjesëmarrjen e reperit dhe se e respekton mendimin e secilit ndjekës, duke e marrë gjithë këtë debat si një shenjë vlerësimi për punën e saj.
“I kam lexuar të gjitha reagimet në rrjet në lidhje me pjesëmarrjen e Feros tek @mirembremayje. E respektoj mendimin e secilit prej jush, dhe e marr si shenjë vlerësimi ndaj meje të gjithë këtë tymnajë; por besoj është e udhës që përpara se të gjithë të dalin në përfundime të nxituara, të dëgjojnë dhe të kuptojnë arsyen kryesore pas kësaj ftese,” – shkruan moderatorja.

Arbana i ftoi ndjekësit që të ndjekin episodin e plotë para se të formojnë mendimin e tyre, duke theksuar se gjithçka do të kuptohet pas publikimit të episodit.
“Nesër, ora 20:00 në kanalin tim në YouTube,” – shkruan ajo, duke lënë të kuptohet se episodi do të zbulojë më shumë rreth motivit të intervistës me reperin, i cili prej kohësh është në qendër të vëmendjes për deklaratat dhe sjelljet e tij publike.


