Azgan Mernica ka pranuar vrasjen e policit të forcave “Shqiponja”, tre ditë më parë në Fier.
“Po unë e vrava”, raportohet të ketë dëshmuar Menrica pas arrestimit mbrëmjen e së mërkurës.
Azgan Mërnica nuk është penduar që vrau efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, 28 vjeç.
“Mendova se po me shante dhe prandaj kam ndaluar të sqarohem dhe ka nisur sherri. Në një moment dukej sikur do prekte armën, pata frikë, nxora pistoletën dhe e qëllova. Nuk jam bërë pishman” mësohet të ketë thënë Mërnica.
Në videon e publikuar mbrëmjen e djeshme, dëgjohet një grua ku i thotë “Azgan… Zoti para, hajde rrugën e mbarë”.
Ndërsa në një video tjetër një i afërm i tij e këshillon dhe i thotë “nëse të luan njeri aty brenda…”, ndërsa Azgani e qetëson, nga mimika e tij lë të nënkuptojë që është shumë i qetë dhe se nuk ka aspak frikë.
Azgan Mërnica mbrëmjen e djeshme (15 maj) është vetëdorëzuar në policinë e Fierit. Për kapjen e tij kërkimet vijuan prej dy ditësh.
23-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij. Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej.
Në videon e publikuar ndërsa hipën në makinë për tu dorëzuar në polici, 23-vjeçari u shfaq i qeshur dhe i qetë. Ndërkohë Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj Azgan Mërnicës, vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Si ndodhi ngjarja
Efektivi Cenalia, i cili ishte prej 4 vitesh pjesë e komisariatit të policisë në Fier, vetëm disa javë më parë kishte kurorëzuar martesën e tij.
Mesditën e të hënës ai kishte veshur uniformët e “Shqiponjave” dhe po i drejtohej komisariatit për të marrë shërbimin. Rrrugës, në fshatin Baltëz automjeti i tij ndalon dhe nga një makinë përballë hapet zjarr.
Novruz Cenalia merr një plumb në kokë dhe për pasojë humb jetën në vendin e ngjarjes.
Efektivi do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz. Në nder të tij, këtë të mërkurë u mbajtën homazhe në hollin e Teatrit Bylis në Fier.
Me lot në sy, kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë atij lamtumirën e fundit. Në homazhe mori pjesë mes të tjerëve edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili u shpreh se “gjaku i policisë është gjaku i shtetit”.