Një tjetër “dramë” po merr vëmendjen në rrjet, këtë herë mes Alba Pollozhanit dhe Lim Hotit, të cilët duket se po komunikojnë me mesazhe të koduara dhe plot nënkuptime në InstaStory.
Gjithçka nisi me një postim nga Lim Hoti, i cili foli për “fytyra të maskuara” dhe mungesë respekti, duke lënë të kuptohet se kishte zhgënjim ndaj disa personave. Ai theksoi se nuk ka më “denjitet” dhe se shumë gjëra që priste nga njerëzit nuk po ndodhin, ndërsa në fund përdori shprehjen “TQR – talent qetësi respekt”, që u interpretua si një mesazh i drejtpërdrejtë.

Nuk vonoi shumë dhe reagimi erdhi nga Alba Pollozhani, e cila publikoi një seri postimesh me tone ironike dhe reflektuese. Ajo foli për “paranojën”, duke e shpjeguar si një gjendje ku njerëzit krijojnë dyshime të pabazuara dhe interpretojnë gabim realitetin. Në një nga mesazhet e saj, Alba thekson se “e vërteta nuk lodhet duke u shpjeguar”, një fjali që shumë ndjekës e kanë parë si kundërpërgjigje direkte.

Madje, Alba shkoi edhe më tej duke ndarë informacione mbi paranojën, duke përmendur edhe trajtime dhe këshilla psikologjike, çka u pa si një “thumbim” i fortë ndaj deklaratave të Lim Hotit.
Ky “duel” në rrjete sociale ka ndezur menjëherë reagimet, me ndjekësit që janë ndarë në dy kampe: ata që mbështesin Limin për “qëndrimin e tij të drejtpërdrejtë” dhe të tjerë që janë në anën e Albës, duke e konsideruar reagimin e saj si më të zgjuar dhe ironik.

Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka përmendur emra konkretë, por për publikun duket qartë se mesazhet nuk janë aspak rastësore… dhe kjo histori duket se sapo ka nisur.