Tensionet mes banorëve në BBVA5 duket se kanë arritur kulmin. Pas debatit të fortë mes Markos dhe Shëndritit për cigare, që degjeneroi edhe në një kontakt fizik, në shtëpi ka mbërritur një “zarf i zi”, ndërsa produksioni ka bërë edhe një njoftim të papritur: anulohet televotimi.
E gjitha nisi nga një debat mes Markos dhe Shëndritit për një çështje të vogël, lidhur me cigaret, por që shumë shpejt u përshkallëzua. Në kulmin e tensionit, Marko iu afrua banorit nga Kosova dhe e goditi me shuplakë në dorë, një veprim që konsiderohet shkelje e rëndë e rregullave të spektaklit.
Reagimi i Shëndritit ishte i menjëhershëm, duke i kërkuar Markos të tregojë kujdes dhe duke nënvizuar se sjellje të tilla nuk lejohen në një format si “Big Brother VIP”. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha për pasojat që mund të ketë ky veprim.
Menjëherë pas incidentit, në shtëpi ka mbërritur një “zarf i zi”, që zakonisht lidhet me situata të rënda dhe vendime të forta nga produksioni. Por surpriza më e madhe erdhi nga njoftimi zyrtar i bërë publik nga vetë “Big Brother VIP Albania”.
Megjithatë, ndonëse këto zhvillime kanë ndodhur në një kohë shumë të afërt me njëra-tjetrën, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse zarfi i zi ka lidhje direkte me përplasjen mes dy banorëve. Deri më tani, produksioni nuk ka dhënë detaje konkrete mbi arsyen e këtij vendimi, duke e mbajtur situatën në mister.

Ndërkohë, anulimi i televotimit ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet, pasi një vendim i tillë merret rrallë dhe shpesh shoqërohet me ngjarje të forta në lojë.
Të gjitha përgjigjet pritet të jepen në Prime-in e së shtunës, ku “Vëllai i Madh” do të zbulojë detajet e plota dhe arsyet që fshihen pas këtij vendimi që ka trazuar jo vetëm banorët, por edhe publikun.