Përplasja mes këngëtarit Gjesti dhe shtëpisë diskografike ONIMA po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe tashmë ka përfshirë një pjesë të madhe të showbizit shqiptar.
Gjithçka nisi pas incidentit të rëndë, ku sipas raportimeve Gjesti dyshohet se është paraqitur i armatosur në ambientet e kompanisë muzikore. Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale dhe shumë artistë të njohur dolën publikisht në mbështetje të këngëtarit, duke shprehur pakënaqësi ndaj ONIMA-s dhe mënyrës së menaxhimit të artistëve ndër vite.
Por reagimi i tyre nuk ka kaluar pa pasoja. Pronari i kompanisë ONIMA, Erkand Shabani, ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj disa figurave publike që sipas tij kanë mbajtur qëndrime në mbështetje të Gjestit.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Shabani paralajmëroi gjithashtu publikimin e pamjeve filmike nga ngjarja në zyrat e kompanisë, ndërsa bëri të ditur se ka depozituar kallëzim në organet kompetente ndaj disa personazheve të njohur të estradës.
Sipas tij, reagimet e tyre në rrjetet sociale përbëjnë një përpjekje për të relativizuar një akt të rëndë dhe për të ndikuar në perceptimin publik mbi ngjarjen.
Mes emrave që ai thotë se i ka përfshirë në kallëzim përmenden:
• Zanfina Ismajli
• Tayna
• Yll Limani
• Vesa Luma
• Xheneta Fetahu
• G Bani
• Pleurat Zeksylaj
• Oriola Marashi
• Besa Kokëdhima
Në një reagim të dytë, Shabani theksoi se postimet dhe deklaratat e artistëve do të përfshihen si pjesë e materialeve të hetimit. Sipas tij, kjo fushatë publike synon të krijojë presion mbi procesin gjyqësor dhe të detyrojë kompaninë të pranojë një marrëveshje nën ndikim publik.

Ndërkohë, çështja pritet të marrë zhvillime të tjera, pasi konflikti mes Gjestit dhe ONIMA-s tashmë duket se ka kaluar nga një përplasje mes palëve në një debat të gjerë në industrinë muzikore shqiptare.