Policia ka shpallur në kërkim Ylli Zallën, pas sekuestrimit të një arsenali armësh në banesën e tij në Nikël, ku u gjetën 3 kallëpe tritol, 12 granata dore, 4 armë zjarri, 6 mijë fishekë, 5 bomba me telekomandë dhe mbi 2 kilogramë kanabis. Dyshohet se nga e njëjta banesë ka dalë edhe mjeti i përdorur në atentatin mafioz në Rinas, ku u ekzekutua Gilmando Dani. Forcat e policisë po vijojnë operacionin për kapjen e Zallës, i cili është larguar para mbërritjes së uniformave blu.
Lexo edhe:
Ylli Zalla nuk është emër i panjohur për autoritetet, pasi ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale. Në atë periudhë, Zalla dyshohej për lidhje me elementë radikalë që rekrutonin persona për të luftuar në Siri. Ai u vu në pranga pas vendimit të Gjykatës së Krujës, që caktoi ndaj tij masën e arrestit për “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Nuk ka informacion zyrtar nëse ai është dënuar për çështjen e asaj kohe.
Ndër vite, Zalla ka pësuar ndryshime të dukshme në pamje, të cilat shihen edhe në fotot e publikuara, ku ai shfaqej dikur me mjekër dhe pozonte me armë në duar. Policia po heton lidhjet e mundshme të tij me grupime kriminale aktive në zonë, ndërsa po kërkon të zbardhë të kaluarën dhe rolin e tij të mundshëm në atentatin e Rinasit.
