Publikimi i një interviste të Luana Vjollcës, e prezantuar si ekskluzive për revistën prestigjioze L’Officiel, ka nxitur diskutime dhe reagime në rrjetet sociale, pasi janë ngritur dyshime mbi vërtetësinë dhe statusin real të botimit ku ajo shfaqet.
Sipas materialit të shpërndarë, Luana Vjollca rrëfen rrugëtimin e saj mbi dy dekada në ekran, filozofinë e suksesit, lindjen e brand-it LU7U, lëvizjen “Thuaje” dhe vizionin e saj si sipërmarrëse dhe ikonë stili.
Megjithatë, gazetarja Rezearta Çaushaj ka hedhur dyshime mbi këtë publikim, duke theksuar se bëhet fjalë për një cover ‘pay-per-play’, një praktikë ku personazhe publike paguajnë për t’u paraqitur në platforma që përdorin emra shumë të ngjashëm me revista prestigjioze ndërkombëtare, por që nuk kanë lidhje zyrtare me to.
Në reagimet e saj publike, Çaushaj thekson se domain-i lofficieluk.com nuk përfaqëson zyrtarisht revistën L’Officiel, një markë historike franceze e modës, dhe se këto botime operojnë kryesisht nga Dubai, duke shfrytëzuar konfuzionin e krijuar nga emri.
Sipas dokumenteve të cituara, AMTD Group, kompania që ka blerë markën L’Officiel nga familja Jalou, ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj operatorëve të disa faqeve që përdorin emrin “L’Officiel UK” pa autorizim. Në një vendim administrativ të vitit 2025, është konstatuar se domain-i në fjalë është “confusingly similar” me markën zyrtare dhe mund të çojë publikun në keqinformim.


Ky rast ka rikthyer në vëmendje një fenomen të njohur edhe më parë në Shqipëri. Në nëntor të vitit 2023, moderatorja Alketa Vejsiu publikoi një kopertinë që, sipas saj, ishte nga Forbes UK. Pas verifikimeve, u konfirmua se revista Forbes nuk kishte asnjë lidhje me të ashtuquajturën “Forbes UK”, ndërsa artikulli ishte firmosur nga “Forbes Staff”, pa emër gazetari dhe me përshkrime të përgjithshme.
Ekspertët e medias theksojnë se praktikat “pay-per-play” nuk janë të paligjshme në vetvete, por bëhen problematike kur prezantohen si arritje editoriale ose si njohje zyrtare nga media ndërkombëtare prestigjioze, duke krijuar një perceptim të rremë tek publiku.
Deri më tani, Luana Vjollca nuk ka reaguar publikisht mbi këto pretendime. Ndërkohë, rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi nevojën për verifikim të burimeve, transparencë dhe dallimin mes marketingut personal dhe gazetarisë së mirëfilltë.

