Reperi i njohur shqiptar kthehet në atdhe pas tre muajsh ndalim në Dubai – do të përballet me drejtësinë në Tiranë
Reperi i njohur Kleviol Ahmeti, i njohur nga publiku me emrin e tij artistik “Cllevio”, pritet të ekstradohet sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, pas rreth tre muajsh qëndrimi në ndalim në Dubai. Burime zyrtare bëjnë me dije se ekstradimi i tij do të kryhet më 8 tetor, nën kujdesin e autoriteve të Interpolit, me destinacion Tiranën, ku artisti do të duhet të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas informacioneve, Cllevio ka nënshkruar dokumentet e ekstradimit, duke pranuar të kthehet vullnetarisht në vendlindje për të vijuar procedurat ligjore. Lajmi për ekstradimin e tij ka zgjuar interes të madh në publik, pasi Cllevio është një ndër figurat më të komentuara të rrjeteve sociale dhe skenës rap në Shqipëri, i njohur për debatet e forta me artistë të tjerë, si dhe për shfaqjet e tij live në platforma online.
Arrestimi i tij në Dubai kishte ardhur pas një urdhër-arresti ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet shqiptare, për çështje që lidhen me shkelje të ligjit dhe procedura penale në vend. Gjatë qëndrimit të tij në Emirate, Cllevio ka qenë aktiv në mënyrë të kufizuar në rrjete sociale, ku herë pas here ka dhënë sinjale për gjendjen e tij dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri.
Pas mbërritjes në Rinas, reperi pritet të shoqërohet nga policia drejt institucioneve përkatëse, ku do të merret në pyetje dhe do të përballet me akuzat që i janë ngritur. Nuk dihet ende nëse ai do të kërkojë një masë sigurie më të lehtë, por burime pranë mbrojtjes së tij kanë sinjalizuar se avokatët janë gati të ndërhyjnë për të kërkuar lirimin me kusht.