Një video e publikuar nga Xhani në rrjetet sociale ka tërhequr menjëherë vëmendjen, duke treguar një pamje krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në Dubai.
Në postimin e tij, ai shfaqet duke ecur i vetëm pranë zonës ikonike të Burj Khalifa, ndërsa sheshi përreth duket pothuajse i boshatisur. Një skenë e rrallë për një nga destinacionet më të frekuentuara në botë, që zakonisht është plot me turistë dhe jetë.
“Kur Oborri i Burj Khalifa është vetëm për vete…”, shkruan ai në video, ndërsa në përshkrim shton: “E rrallë që këtë shesh ta gjesh bosh në Dubai”.
Por kjo qetësi e pazakontë vjen në një moment shumë të tensionuar për rajonin. Më 28 shkurt 2026, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Teherani reagoi me një valë raketash dhe dronësh që goditën disa vende të Gjirit, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Dubai, shpërthime janë dëgjuar në disa zona, ndërsa sisteme të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar një pjesë të raketave. Megjithatë, mbetje nga këto interceptime kanë shkaktuar zjarre në disa pika, përfshirë hotele luksoze në Palm Jumeirah dhe dëme të pjesshme në aeroportin ndërkombëtar.
Sipas raportimeve, si masë sigurie janë marrë vendime emergjente, përfshirë mbylljen e hapësirës ajrore dhe ndërprerjen e fluturimeve, ndërsa në disa raste është raportuar edhe për evakuimin e zonave të ndjeshme. Madje, sipas mediave ndërkombëtare, edhe zona e Burj Khalifa është evakuuar përkohësisht pas shpërthimeve dhe alarmit për sulme.
Kjo situatë ka krijuar panik dhe pasiguri te banorët dhe turistët, me shumë persona që raportojnë se kanë dëgjuar shpërthime dhe kanë parë raketa në qiell.