Rasti tronditës i denoncuar në Kamëz, ku një mësuese ushtronte dhunë ndaj nxënësve, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Ngjarja, e bërë publike përmes pamjeve që qarkulluan në rrjet, ka sjellë një valë indinjate, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme, duke e pushuar nga puna mësuesen e përfshirë.
Mes reagimeve të shumta, nuk ka munguar edhe ai i moderatores Dasara Karaiskaj, e cila ka shprehur hapur zemërimin e saj përmes një postimi në rrjetet sociale.
E revoltuar nga ajo që ka ndodhur, Dasara shprehet se situata nuk duhej të kalonte pa pasoja të forta, duke nënvizuar se në raste të tilla duhet të merren masa të menjëhershme dhe të rrepta.
“Dhe meqë jemi brenda temës së mamave, s’do isha ngopur me ndonjë masë të marrë, të tipit përjashtim i zyshës nga shkolla, pa e rraf vetë derisa të ngopesha që të nxirrja dufin, s’do më dilte e keqja kurrë, po të ishte fëmija im!”, shkruan ajo, duke reflektuar ndjenjat e një prindi përballë një situate të tillë.
Reagimi i saj ka marrë menjëherë vëmendje dhe është shpërndarë gjerësisht, duke nxitur debat mbi sigurinë e fëmijëve në institucione arsimore dhe përgjegjësinë e stafit pedagogjik.
Ngjarja në Kamëz ka rikthyer në fokus nevojën për kontroll më të rreptë dhe masa më të forta ndaj çdo forme dhune në shkolla, ndërsa prindërit kërkojnë më shumë garanci për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Ndërkohë, vendimi për largimin nga detyra i mësueses është parë si një hap i parë, por shumë zëra kërkojnë që raste të tilla të ndiqen edhe më tej nga institucionet përkatëse.
