Lajmi për vdekjen e papritur të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi ka tronditur botën e artit dhe publikun shqiptar mëngjesin e sotëm. Artisti nga Tetova u nda nga jeta tragjikisht si pasojë e një ataku kardiak.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit tragjik, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi, ku mbizotëron shoku dhe mosbesimi.
Reperi dhe producenti Big Basta ka bërë një dedikim prekës, duke vlerësuar mbi të gjitha karakterin e Shpatit.
”Të gjithë kolegët e dimë çfarë djali i mrekullueshëm ke qenë! Nuk i bënte nona 2 si ti! I sjellshëm dhe zemër të madhe, kurrë nuk dëgjuam diçka të keqe nga ti për askënd,” shkruan ai, duke e quajtur një humbje të madhe për të gjithë.
Mes reagimeve të shumta të kolegëve dhe miqve, moderatorja Arbana Osmani ka shprehur dhimbjen e saj publike përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
Ajo ka kujtuar bashkëpunimet e hershme me këngëtarin, duke u kthyer pas në kohë në vitet e arta të festivaleve muzikore.

Big Mama ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetet sociale, duke shpërndarë një foto të Shpat Kasapit, ku i ka dedikuar fjalë zemre.
Në postimin e shkurtër por prekës, Big Mama shkruan:
“O Shpati bre … nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe më të këputë shpirtin. Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembjin edhe më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë, vëlla. Prehu në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve… Zoti ju dhëntë forcë e durim në këtë dhimbje.”

Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri, në një postim në rrjetet sociale, shprehet: “Nuk mundem me besu këtë lajm kaq të trishtë… Ti gjithmonë ke qenë i mirë me ne, gjithmonë pozitiv. Kështu do të të mbajmë mend, për energjinë tënde të mirë dhe për muzikën e gëzueshme që na dhurove. U prehte në paqe, e Zoti i japë forcë familjes”.

Ermal Fejzullahu kujton Shpat Kasapin si mikun e tij të fëmijërisë. “Nuk po muj me besu, sot shkove ti miku im i fëmijërisë. E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me ty, të cilat do t’i ruaj tanë jetën. Na theve zemrat Shpat, pusho i qetë vëlla. Ngushëllime familjes”.
Këngëtarja Soni Malaj, në një Instastory, shprehet: “Lamtumirë miku im… Sot u zgjova me lajmin më të trishtuar. U shua papritur një zë, një shpirt i bukur, një artist që me talentin e tij preku zemrat e shumë shqiptarëve anembanë. U shua një mik, një njeri me dritë, me qeshjen e tij të ngrohtë, me shpirtin e tij të pastër që gjithmonë gjente forcë t’i jepte muzikës më të mirën e vetes.
Është e vështirë të pranohet se një atak kardiak mund të marrë kaq padrejtësisht dikë që kishte kaq shumë për të dhënë. Por zëri yt, këngët e tua, momentet e paharrueshme që ke lënë pas te ne nuk do të harrohen. Do të jetojë mirësia jote, pasioni yt, zëri dhe muzika jote.
Sot nuk humbëm vetëm një artist, humbëm një shpirt të rrallë. U prehsh në paqe, miku im. Drita jote nuk do të fiket kurrë”.
Edhe këngëtari Ardian Bujupi ka ndarë një postim ngushëllimk për humbjen e Shpat Kasapit.
