Një reportazh i prestigjozes britanike “The Sun” i kushton vëmendje fenomenit të emigracionit masiv në Shqipëri, që ka boshatisur fshatrat, kryesisht në veri të vendit. Fshati Golaj, vetëm pak minuta larg Hasit që ka fituar nofkën “Londra e Vogël” sepse shumë banorë të tij tani jetojnë në Britani, ka pësuar një largim masiv të të rinjve, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.
Golaj ka një popullsi prej rreth 4,000 banorësh, vendasit thonë se shifra është rreth 60 përqind sepse të vetmet vende pune të disponueshme këtu janë vendet e punës me paga të ulëta në bujqësi ose në kafenetë buzë rrugës të cilat mbështeten te turistët që kalojnë. “Nuk ka më gangsterë këtu, se janë të gjithë në Angli”, i tha me ironi një banor vendas gazetës britanike.

Mungesa e punës ka çuar në një eksod masiv nga Shqipëria, i cili, në kulmin e tij, pa rreth 12,000 të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2022 – duke përbërë një në tre të ardhur. Në Golaj, banorët vlerësojnë se gjashtë në dhjetë të rinj vendas tani jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Migrimi është aq i përhapur sa shkolla e fshatit humbet të paktën një duzinë nxënësish çdo vit dhe bizneset e fermerët përpiqen të gjejnë punëtorë, ndërsa brezi i ri ndjek një jetë të re në Britani.
Birtanikja vë në dukje se, ndërsa shumë shqiptarë krenohen me etikën e tyre të punës, lidhjet me bandat kriminale dhe të drogës janë famëkeqe. Një në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishin në burg, sipas shifrave të Ministrisë së Drejtësisë për vitin e kaluar.
Dy vëllezër nga Golaj, Isuf dhe Fation Dauti, të cilët u dëbuan nga Mbretëria e Bashkuar pas akuzave për pjesëmarrje në një rrjet të krimit të organizuar. Fillimisht ata u lejuan të qëndronin pasi u martuan me gra nga vendet e BE-së, Letonia dhe Bullgaria. Pavarësisht se me sa duket kishin punë modeste në ndërtim dhe pastrim, Isuf dhe Fation Dauti jetonin jetë luksoze, duke shpenzuar para për veshje firmato në Harrods, duke ngarë makina të shtrenjta, përfshirë Bentley, dhe duke marrë me qira një apartament në Chelsea me vlerë 2,700 paund në muaj.

Dy vëllezërit kanë edhe dy kushërinj, po ashtu nga Golaj, të cilët dyshohet se kanë qenë organizatorët kryesorë të një grupi që kontrabandonte qindra emigrantë të paligjshëm, përfshirë edhe fëmijë, drejt Britanisë së Madhe, të fshehur në pjesën e pasme të kamionëve. Emigrantët paguanin deri në 13,000 paund për një vend në kabinën e shoferit, ndërsa 8,000 paund për një vend në pjesën e pasme, shpesh në kushte çnjerëzore dhe me rrezik për jetën.
Nuk është çudi që të rinjtë e Shqipërisë tërhiqen nga krimi, kur familjet e dëshpëruara mburren me krenari për “suksesin” e fëmijëve të tyre në Britani, duke bërë pak pyetje se nga vijnë paratë e tyre.
Në zonat rurale, nuk është e pazakontë të shohësh vendas në të njëzetat dhe të tridhjetat e tyre duke lëvizur me makina të shtrenjta me targa britanike, veçanërisht Audi dhe Mercedes. Vila luksoze janë të shpërndara nëpër kodra, por shumica janë të zbrazëta.