Viktima 29-vjeçare u godit me thikë në ballkon nga partneri i saj 52-vjeçar.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Milano-n dhe rrjetet sociale italiane. Viktima është Pamela Genini, modele dhe sipërmarrëse 29-vjeçare, e njohur për jetën e saj luksoze mes Monte Carlo, Milanos dhe Dubait.
Mbrëmjen e së martës, më 14 tetor, Pamela u sulmua me thikë në ballkonin e apartamentit të saj në lagjen Gorla nga partneri i saj, Gianluca Soncin, 52 vjeç. Sipas dëshmive të fqinjëve, ngjarja ndodhi pas një konflikti të ashpër, ndërsa autori, pas aktit, tentoi të vetëvritej, duke goditur veten në fyt. Ai ndodhet aktualisht në Spitalin Niguarda, në gjendje të qëndrueshme.
Pamela ishte një modele e re me një karrierë premtuese në fushën e modës dhe sipërmarrjes. Ajo së bashku me mikeshën e saj Elisa Bortolotti kishte krijuar markën EP SheLux, e njohur për bikinit dhe veshjet plazhi luksoze, të cilat promovoheshin në faqet e saj online.
Familja dhe komuniteti janë tronditur nga humbja e saj, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar motivet dhe rrethanat e krimit.
Tragjedia e Pamelas është një tjetër shembull i dhimbshëm i pasojave të konflikteve personale dhe marrëdhënieve toksike, që përfundojnë shpesh me pasoja fatale.