Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka ndodhur këtë fundjavë në fshatin Vorizia të Heraklionit, në ishullin e Kretës, ku një përplasje e dhunshme mes dy familjeve ka përfunduar në një masakër të përgjakshme.
Sipas mediave greke, tre persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur, pas një shkëmbimi zjarri që ka zgjatur për minuta të tëra dhe që është përshkruar si një “luftë civile” në mes të fshatit.
Të shtënat me kallashnikov kanë nisur si hakmarrje ndaj një shpërthimi që kishte ndodhur më herët në banesën e njërës prej familjeve. Si pasojë, situata ka dalë jashtë kontrollit, me qindra plumba të qëlluar nga të dyja palët.
Burime lokale flasin për më shumë se 2 mijë plumba të shkrepur, ndërsa shumë prej të plagosurve janë transportuar në spitale me mjete bujqësore, për shkak të kaosit në zonë.
Fshati nën “rrethim” dhe frika për hakmarrje të re
Banorët e Vorizias janë mbyllur nëpër shtëpi, ndërsa policia greke ka ndërhyrë me forca të shumta për të ndalur përplasjen.
Në momentin që uniformat blu mbërritën në vendngjarje, të shtënat u ndalën, por autoritetet raportojnë se ende dëgjohen të shtëna sporadike në periferi të zonës.
Të plagosurit janë dërguar në spitalet Venizelio dhe Pagni, ndërsa policia ka vendosur forca të shumta sigurie edhe në spitale, për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të hakmarrjes.
Nga pagëzimi te tragjedia: si nisi konflikti
Sipas raportimeve të mediave greke, tensionet mes dy familjeve kishin nisur prej më shumë se një viti.
Së fundmi ishte bërë një përpjekje për pajtim, përmes një pagëzimi që do të mbahej të shtunën pasdite në fshatin Kissous, pranë Vorizias.
Njëra familje i kishte propozuar tjetrës që një prej anëtarëve të bëhej kumbar, për të rivendosur marrëdhëniet e mira. Por duket se pajtimi dështoi.
“Merre dhuratën, nuk e di nëse do të jem gjallë”, kishte deklaruar anëtari që mori ftesën për pagëzimin — një fjali që sot tingëllon profetike.
Operacion policor në zhvillim
Forcat policore janë ende të mobilizuara në zonë, ndërsa operacioni në terren vijon për neutralizimin e plotë të situatës.
Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe personat e përfshirë, ndërkohë që frika për një valë të re hakmarrjes mbetet e lartë.