Pas ditësh të mbushura me dhimbje dhe zhgënjim, historia e përpjekjeve të familjes Cani për të nderuar kujtimin e djalit të tyre, Martin Canit, ka marrë një kthesë.
Pak ditë më parë, prindërit e 14-vjeçarit, Ëngjëll dhe Florina Cani, u përballën me një refuzim të papritur, pasi drejtoria e shkollës “Fan Noli” nuk lejoi vendosjen e një stoli përkujtimor në oborrin e institucionit ku djali i tyre kishte ndjekur mësimet. Pavarësisht se kërkesa ishte miratuar nga Zyra Vendore Arsimore dhe se kishte një dakordësi paraprake edhe nga Bashkia e Tiranës, stoli nuk u lejua të vendosej brenda ambienteve të shkollës.


Në atë moment, prindërit vendosën të mos dorëzohen dhe e vendosën përkujtimoren jashtë shkollës, si një simbol i dashurisë dhe kujtimit për djalin e tyre, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht.
Por sot, situata ka marrë një tjetër rrjedhë. Pas reagimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme, stoli përkujtimor për Martin Canin është pranuar dhe është vendosur në ambientet e shkollës “Fan Noli”.
Ky vendim shihet si një hap i rëndësishëm jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin, duke i dhënë vendin e merituar kujtimit të një të riu që u nda nga jeta në mënyrë tragjike.
Historia e këtij stoli përkujtimor u kthye në një simbol të këmbënguljes së prindërve dhe të nevojës për të ruajtur kujtesën, ndërsa sot, kujtimi i Martin Canit do të mbetet pjesë e përhershme e vendit ku ai u rrit dhe u edukua.