
Zemfira Mukhtarov dhe Ebba Morina
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Nju Jorkun më 4 tetor, pasi dy vajza të mitura humbën jetën gjatë një aventure të rrezikshme mbi një tren në lëvizje në linjën Brooklyn-bound J.
Policia ka identifikuar njërën prej viktimave si Ebba Morina, 13 vjeçe, banuese në Manhattan dhe me origjinë shqiptare. Ajo dhe shoqja e saj Zemfira Mukhtarov, e cila do të mbushte 13 vjeç pas vetëm dy javësh, u gjetën pa shenja jete mbi tren në stacionin Marcy Ave./Broadway, pasi treni kishte kaluar urën e Williamsburg. Dy vajzat besohet se u goditën nga një trarë i ulët gjatë kalimit në urë.
Familja e Ebba-s ka kërkuar që në kujtim të saj të mbillen pemë, dhe deri më tani, 47 pemë janë premtuar për t’u mbjellë në nder të saj, sipas Farenga Funeral Home në Bronx.
Ndërkohë, Zemfira Mukhtarov, që jetonte në Brooklyn, ishte aktive në TikTok, ku publikonte shpesh video rrezikshme duke “surfar” mbi trena. Familja e saj ka hapur një GoFundMe për shpenzimet e funeralit.
Babai i saj, Ruslan Mukhtarov, shkroi me dhimbje:
“Ajo ishte vetëm 12 vjeçe, plot jetë, dhe duhej të festonte ditëlindjen e saj të 13-të pas dy javësh. Asnjë prind nuk duhet të përjetojë këtë dhimbje.”
Shërbimet për Ebba Morina u mbajtën më 7 tetor në Bronx, në një ceremoni private.
Sipas autoriteteve, vdekjet e dy vajzave çojnë në pesë numrin e viktimave nga “subway surfing” vetëm këtë vit, ndërsa vitin e kaluar u regjistruan gjashtë.
Nga viti 2018 deri në 2023 ishin raportuar gjithsej pesë raste të tilla.
Autoritetet e transportit MTA kanë nisur fushata ndërgjegjësuese dhe përdorin drone për të ndaluar adoleshentët që rrezikojnë jetën. Vetëm vitin e kaluar, NYPD ka ndaluar 229 persona që tentonin të “surfonin” mbi trena, krahasuar me 135 vitin paraardhës.
Presidenti i Transportit të Nju Jorkut, Demetrius Crichlow, reagoi me tone të forta:
“Është zemërthyese që dy vajza të reja humbën jetën, sepse menduan se të hipësh mbi tren ishte një lojë. Prindër, mësues dhe miq, duhet të jenë të qartë: kjo nuk është ‘surfim’ – është vetëvrasje.”
Ai shtoi se mendimet e tij janë me familjet e vajzave, përfshirë edhe komunitetin shqiptar që po përjeton dhimbjen e humbjes së Ebba Morinës, një vajze të re me rrënjë shqiptare që u nda nga jeta tragjikisht.


