
Ervin Mata është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes mediatike — këtë herë në Brazil. Mediat lokale raportojnë se Gjykata e Lartë Federale ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij, duke e cilësuar Matën si “bosi i drogës”, për shkak të akuzave për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Prej kohësh në arrati, Mata nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi është përfshirë në disa çështje penale të bujshme.
Nga përplasja në ish-Bllok te përplasja me drejtësinë
Emri i Ervin Matës u bë publik pas ngjarjes së rëndë në ish-Bllok, më 4 tetor 2018, ku gjatë një përplasjeje me armë në lokalin “Monopol” mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt (i zhdukur që nga 9 gushti 2022), ndërsa u plagosën vetë Martinaj dhe Eljon Hato.
Sipas policisë, konflikti kishte nisur fillimisht brenda lokalit dhe më pas kishte përfunduar në shkëmbim zjarri. Pas disa muajsh në kërkim, Mata u vetëdorëzua, duke deklaruar se ishte fshehur nga frika për jetën.
Në fillim u përfol se sherri kishte nisur për shkak të ngacmimit të këngëtares Elvana Gjata, partneres së Matës, nga Martinaj. Më pas, hetimet zbuluan se konflikti kishte lidhje me një ngarkesë kokaine, që sipas dosjeve, Mata nuk ia kishte dorëzuar Eldi Dizdarit, një prej figurave kyçe të “Kartelit Bello”, aktualisht i strehuar në Dubai.
Një lidhje dashurie që bëri bujë
Mata ishte fejuar me këngëtaren Elvana Gjata në vitin 2017, pas dy vitesh lidhje. Këngëtarja e ka përmendur në disa intervista si një person të rëndësishëm në jetën e saj, pa zbuluar identitetin. “Zoti më ka sjellë një fat të mirë,” — ishte shprehur ajo në një bisedë televizive me Ermal Mamaqin.
Dosja “Metamorfoza”: Rrjeti që u shtri nga Brazili në Europë
Në nëntor 2023, SPAK firmosi një urdhër-arresti për Matën në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, që çoi në goditjen e një rrjeti të gjerë trafiku droge.
Nga përgjimet e siguruara në aplikacionin Sky ECC, ai rezulton të ketë trafikuar rreth 250 kg kokainë nga Brazili drejt Frankfurtit (Gjermani). Në biseda të përgjuara, Mata pranon sekuestrimin e 240 kg drogë dhe parashikon se “do të dilte në gazetë ditën tjetër”. Hetimet çuan më pas në arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe shefit të operacionales Oltion Bistri.
Lidhjet me Erzen Breçanin
Në të njëjtën dosje, hetuesit zbuluan edhe komunikime mes Matës dhe ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, si dhe ish-shefit të Krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. Ata akuzohen për pastrim parash dhe ndihmë ndaj autorit të krimit.
Breçani dhe Mata kanë lidhje familjare dhe krushqi, pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Matës.
Në bisedat e Sky ECC përmendet edhe Elvana Gjata, pasi përmendet një transferim prej 500 mijë eurosh nga llogaria e saj, çka bëri që SPAK të hapte hetim pasuror për këngëtaren.
Nga arratia drejt ekstradimit
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë Federale në Brazil, pritet që Ervin Mata të arrestohet dhe të ekstradohet në Shqipëri, këtë herë jo me dëshirë, por nën prangat e drejtësisë.