Një histori e rëndë ka tronditur Azerbajxhanin, pasi një nuse e re u vetëvra vetëm pak ditë pas martesës, pasi familja e bashkëshortit e kritikoi ashpër për veshjen që kishte zgjedhur në ditën më të bukur të jetës së saj.
Lyaman Mammadli, 19 vjeçe, u akuzua nga familja e dhëndrit se dukej “e zhveshur” dhe “provokuese”, pasi fustani i saj i nusërisë linte të zbuluara shpatullat.
Babai i saj, Murad Bayramov, ka treguar se vajza ishte thellësisht e tronditur nga kritikat dhe menjëherë pas debatit, i dha fund jetës në oborrin e shtëpisë së prindërve, në qytetin Mingachevir.
“Dhëndri im dhe prindërit e tij shkaktuan një konflikt në shtëpinë time për shkak të fustanit të saj të dasmës. Vajza ime nuk mundi ta përballonte dhe mori jetën e saj,” – u shpreh babai i tronditur.


Sipas mediave, edhe pse feja e Mammadli-t nuk është bërë publike, Azerbajxhani është një vend me shumicë myslimane dhe norma të forta tradicionale.
Babai i saj ka mohuar raportimet se vajza ishte martuar nën presion me një burrë më të madh në moshë, 33-vjeçarin Elnur Mamedli.
“Pas festës, Elnuri erdhi në shtëpinë tonë me prindërit e tij dhe filluan të bërtisnin,” – tregoi ai.
“Ata thanë: ‘Çfarë turpi! Si e lejuat vajzën tuaj të vishte një fustan kaq të pahijshëm e të zhveshur?’
Ne u përgjigjëm se ishte një fustan normal, siç veshin shumë nuse. Por ata nuk u qetësuan, vazhduan të grindeshin edhe ditën tjetër.”
Prindërit e bashkëshortit e akuzuan nusen se kishte “turpëruar familjen dhe djalin e tyre”.
“Vajza ime nuk mundi ta duronte më. Ishte e dërrmuar emocionalisht, në ankth e dëshpërim, dhe vendosi t’i japë fund jetës,” – shtoi babai.
Sipas tij, dhëndri mori pjesë në varrim, por ai e përzuri bashkë me familjen:
“Erdhën në varrim, por nuk i lashë të qëndronin. I nxora jashtë.”
Policia po heton nëse do të hapë një çështje penale për “ngacmim psikologjik” dhe presion emocional ndaj nuses përpara vdekjes tragjike.
BURIMI: DAILYMAIL