Familja e Doriana Hakës, e cila humbi jetën 11 vite më parë pas lindjes së djalit të saj nga martesa me futbollistin Alban Hoxha, vazhdon të kërkojë drejtësi për ngjarjen e dhimbshme.
Në një seancë të fundit gjyqësore, Hamide Haka, nëna e Dorianës, shprehu dhimbjen e saj dhe dëshirën e thellë për një vendim të drejtë:
“Janë 11 vite që presim drejtësi. Gjatë ballafaqimit mes ekspertëve u revoltova dhe foli zemra ime. Shpresoj që gjyqtarët ta marrin parasysh dhimbjen tonë. Dori im meriton drejtësi, një fëmijë që rritet pa nënë ka të drejtë për drejtësi,” – tha Hamide.
Edhe babai i të ndjerës, Enver Haka, theksoi se çështja po zvarritet prej vitesh, por ai nuk do të ndalet së kërkuari drejtësinë e vajzës së tij:
“Janë 11 vite nëpër gjykata dhe ende nuk kemi marrë një vendim. Presim që Apeli të japë drejtësi, pasi trupa gjykuese ka dëgjuar ekspertët. Dua drejtësi dhe nuk do të ndalem deri sa të kem jetën,” – deklaroi ai.
Avokati i familjes Haka, Bashkim Sulstarova, u shpreh se gjykata e Apelit ka analizuar provat dhe se shpreson në një vendim të drejtë që do të japë përgjigje për familjen.